75-El-Kijameh
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
75:1. Betohem në Ditën e Kiametit!75:2. Betohem në shpirtin qortues!
75:3. A mendon njeriu se nuk do të mund t’i mbledhim eshtrat e tij?!
75:4. Po, si jo! Ne jemi të Zotë t’ia ribëjmë bashkë me përsosmëri edhe majat e gishtave të tij.
75:5. Por njeriu dëshiron të gabojë sa të jetë gjallë
75:6. dhe pyet: “Kur do të jetë Dita e Kiametit?”
75:7. Por, kur sytë t’i verbohen
75:8. dhe të zihet Hëna
75:9. dhe Dielli e Hëna të bashkohen,
75:10. atë ditë njeriu do të thotë: “Ku të iki?”
75:11. Askund! S’ka strehë!
75:12. Atë ditë, streha është te Zoti yt.
75:13. Atë ditë, njeriu do të vihet në dijeni për veprat që ka bërë dhe për ato që ka lënë pa bërë.
75:14. Po, vërtet që njeriu do të dëshmojë kundër vetvetes,
75:15. edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.
75:16. Mos nxito (o Muhamed) në leximin e Kuranit me gjuhën tënde!
75:17. Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim pjesët e tij e ta lexojmë atë.
75:18. Dhe, kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij!
75:19. Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë.
75:20. Por ju doni këtë jetë (kalimtare)
75:21. e për jetën tjetër nuk kujtoheni!
75:22. Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë
75:23. dhe Zotin e tyre do të shohin.
75:24. Kurse disa fytyra, atë ditë, do të jenë të zymta,
75:25. duke e ditur se do të pësojnë një fatkeqësi, që të thyen në mes.
75:26. Por, kur shpirti të vijë në grykë
75:27. e të thërrasin “A ka shërues”,
75:28. atëherë, ai (që po vdes) do të bindet se ky është çasti i ndarjes
75:29. dhe këmbët do të ngrijnë.
75:30. Atë ditë, ai do të sillet te Zoti yt.
75:31. Ai as nuk besoi dhe as nuk u fal,
75:32. por e mohoi të vërtetën dhe ia ktheu kurrizin,
75:33. e pastaj shkoi te njerëzit e vet, duke u krenuar.
75:34. Mjerë për ty! Mjerë për ty!
75:35. Sërish: Mjerë për ty! Mjerë për ty!
75:36. Vallë, a mendon njeriu se do të mbetet pa përgjegjshmëri?
75:37. A s’ka qenë një pikë fare që derdhej,
75:38. pastaj u bë droçkë gjaku e më pas Allahu e krjioi dhe i dha formë e përmasa të caktuara,
75:39. e prej tij bëri çiftin: mashkullin e femrën?!
75:40. Vallë, Ai Krijues, a nuk ka fuqi që t’i ngjallë të vdekurit?!