80-Abese
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
80:1. Ai u vrenjt dhe ktheu kurrizin,80:2. kur i erdhi pranë i verbri.
80:3. E ku e di ti, ndoshta ai dëshironte të pastrohej (nga gjynahet)
80:4. ose të merrte këshillë, e këshilla t’i sillte dobi atij?!
80:5. Sa për atë që është i pasur,
80:6. ti atij po i kushton vëmendje,
80:7. megjithëse nuk ke përgjegjësi, nëse ai nuk dëshiron të pastrohet.
80:8. Sa për atë që të vjen duke nxituar
80:9. dhe ndien frikë (nga Allahu),
80:10. ti atij nuk po ia vë veshin.
80:11. Mos vepro ashtu! Në të vërtetë, ky (Kuran) është këshillë,
80:12. pra, kush të dojë, le të marrë këshillë!
80:13. Ai ndodhet në Faqe të nderuara,
80:14. të lartësuara, të pastra,
80:15. në duart e shkruesve (engjëj)
80:16. të ndershëm dhe të drejtë.
80:17. Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai!
80:18. Prej çfarë gjëje e krijon Allahu atë?
80:19. Prej pikës së farës e krijon dhe i jep përmasa të rregullta.
80:20. Më pas ia lehtëson rrugën (e lindjes)
80:21. e pastaj e vdes dhe i cakton një varr,
80:22. dhe, kur të dojë, Ai e ringjall.
80:23. E megjithatë, njeriu ende nuk i ka plotësuar ato që i ka urdhëruar Ai!
80:24. Le të mendojë njeriu për ushqimin e vet:
80:25. Jemi Ne që lëshojmë ujë me bollëk,
80:26. pastaj e çajmë tokën në thellësi
80:27. dhe nxjerrim prej saj drithërat,
80:28. rrushin e perimet,
80:29. ullirin e palmat,
80:30. kopshtet e dendura,
80:31. pemët dhe gjithë barërat,
80:32. që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
80:33. Por, kur të vijë Ushtima,
80:34. atë Ditë njeriu do të ikë nga i vëllai,
80:35. nga e ëma dhe nga i ati,
80:36. nga e shoqja dhe nga fëmijët e vet.
80:37. Atë Ditë, secili prej tyre do të ketë aq shqetësim për veten, sa do t’i mjaftojë.
80:38. Atë Ditë do të ketë fytyra rrëzëllore,
80:39. të qeshura e të gëzuara.
80:40. Atë Ditë do të ketë (edhe) fytyra të pluhurosura,
80:41. që do t’i mbulojë errësira.
80:42. Këta janë jobesimtarët, gjynahqarët.