83-El-Mutaffifin
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
83:1. Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje),83:2. që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë,
83:3. ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë.
83:4. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen
83:5. në një Ditë të madhe,
83:6. Ditën, kur të gjithë njerëzit do të dalin para Zotit të botëve?!
83:7. Sigurisht (që do të ringjallen), dhe Libri i punëmbrapshtëve do të jetë në Sixh-xhîn!
83:8. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Sixh-xhîn?!
83:9. Është një libër i shkruar!
83:10. Mjerë mohuesit atë ditë,
83:11. të cilët mohuan Ditën e Gjykimit!
83:12. Askush nuk e mohon atë, përveç gjynahqarëve që shkelin çdo kufi
83:13. e të cilët, kur u lexohen shpalljet Tona, thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë!”
83:14. Nuk është ashtu! Por veprat e tyre (të këqija) ua kanë mbuluar zemrat.
83:15. Nuk është ashtu! Në të vërtetë, atë ditë një vel do t’i pengojë ata që të shohin Zotin e tyre,
83:16. pastaj, me siguri, do të hyjnë në Zjarrin e Xhehenemit
83:17. e do t’u thuhet: “Ja, kjo ajo që e quanit të gënjeshtërt!”
83:18. Ndërsa Libri i punëdrejtëve me siguri që do të jetë në Il-lijûn.
83:19. E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është Il-lijjûn?
83:20. Është një libër i shkruar!
83:21. Atë e dëshmojnë të afërmit (e Allahut).
83:22. Me të vërtetë, punëdrejtët do të gjenden në Xhenet,
83:23. duke shikuar nga divanet.
83:24. Në fytyrat e tyre do të njohësh shkëlqimin e Lumturisë.
83:25. Atyre do t’u jepet të pinë musht të pastër të ruajtur mirë,
83:26. fundi i të cilit është myshku. Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.
83:27. Dhe ai (musht) do të përzihet me ujin e Tesnimit,
83:28. nga burimi i të cilit do të pinë më të afërmit (e Allahut).
83:29. Vërtet, keqbërësit qeshnin me ata që besonin,
83:30. duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre.
83:31. Kur ktheheshin te njerëzit e vet, ata talleshin (me besimtarët)
83:32. dhe, kur i shihnin ata, thoshin: “Këta janë të humbur”,
83:33. ndonëse nuk qenë dërguar për kujdestarë të tyre.
83:34. Por sot, ata që kanë besuar, do t’i përqeshin jobesimtarët,
83:35. e nga divanet e ngritura do t’i shikojnë.
83:36. A janë shpërblyer meritueshëm mohuesit për atë që kanë bërë?!