77-El-Murselat
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
77:1. Për ato që dërgohen njëra pas tjetrës,77:2. për ato që shpejtojnë shtrëngatën,
77:3. për ato që shpërndajnë shiun,
77:4. për ato që ndajnë saktësisht
77:5. dhe për ato që përcjellin këshilla,
77:6. si shfajësim apo paralajmërim!
77:7. Në të vërtetë, ajo që ju është premtuar, do të bëhet!
77:8. Kur yjet të shuhen
77:9. dhe, kur qielli të çahet
77:10. dhe, kur malet të thërrmohen si pluhur
77:11. dhe, kur të dërguarit të tubohen në kohën e caktuar
77:12. - në cilën ditë do të ndodhin të gjitha këto?
77:13. Në Ditën e Ndarjes vendimtare!
77:14. Kush vallë do të ta shpjegojë se ç’është Dita e Ndarjes vendimtare?
77:15. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:16. A nuk i kemi zhdukur të lashtët
77:17. e pastaj do t’i bëjmë të tjerët t’i pasojnë?
77:18. Kështu do të veprojmë me të gjithë keqbërësit!
77:19. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:20. A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu të shpërfillur,
77:21. të cilën e vumë në një vend të sigurt (mitër),
77:22. deri në një kohë të caktuar?!
77:23. Kështu e kemi rregulluar; sa Rregullues të shkëlqyer jemi Ne!
77:24. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:25. A nuk e kemi bërë Tokën vendqëndrim
77:26. të të gjallëve dhe të të vdekurve?
77:27. A nuk kemi vënë në të male të larta e të patundshme? A nuk ju kemi dhënë të pini me bollëk ujë të ëmbël?
77:28. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:29. (Do t’u thuhet): Nisuni drejt atij (dënimi) që e mohuat!
77:30. Shkoni drejt një hijeje me tri kolona (tymi të Xhehenemit),
77:31. e cila nuk bën hije (freskuese) dhe as nga flaka nuk të shpëton!
77:32. Ajo hedh shkëndija të mëdha sa një kala,
77:33. sikur të ishin deve të verdha!
77:34. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:35. Kjo është një ditë, kur ata nuk do të mund të flasin
77:36. dhe nuk do t’u jepet leje për t’u shfajësuar.
77:37. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:38. Kjo është Dita e Ndarjes vendimtare, në të cilën do të tuboheni ju dhe popujt e lashtë,
77:39. prandaj, nëse zotëroni ndonjë dinakëri, përdoreni kundër Meje!
77:40. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:41. Punëdrejtët do të jenë mes hijesh e burimesh,
77:42. si dhe frutash nga ato që dëshirojnë.
77:43. (Do t’u thuhet) “Hani e pini e ju bëftë mirë, (si shpërblim) për atë që keni punuar.”
77:44. Kështu i shpërblejmë Ne ata, që bëjnë vepra të mira.
77:45. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:46. Hani dhe kënaquni për pak kohë! Ju jeni keqbërës!
77:47. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:48. Kur atyre u thuhej: “Përkuluni (në namaz para Allahut)!” ata nuk përkuleshin.
77:49. Mjerë mohuesit në atë ditë!
77:50. Në çfarë shpallje tjetër do të besojnë ata, pas këtij (Kurani)?!