78-En-Nebe'
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
78:1. Për çfarë e pyesin ata njëri-tjetrin?78:2. Për Lajmin e madh,
78:3. rreth të cilit ata kanë kundërshtime.
78:4. Ani, shpejt do ta marrin vesh!
78:5. Sigurisht që shpejt do ta marrin vesh!
78:6. A nuk jua kemi bërë Tokën si shtrat
78:7. e malet si shtylla?!
78:8. Ne ju kemi krijuar në çifte
78:9. dhe gjumin jua kemi bërë për prehje.
78:10. Natën jua kemi bërë mbulesë,
78:11. ndërsa ditën e kemi caktuar për të punuar.
78:12. Mbi ju kemi ndërtuar shtatë qiej të fortë
78:13. dhe kemi vënë kandil (diell) të shndritshëm!
78:14. Nga retë Ne ju lëshojmë ujëra të bollshme
78:15. për rritjen e drithërave, bimëve
78:16. dhe të kopshteve të dendura.
78:17. Sigurisht, Dita e Ndarjes vendimtare është caktuar.
78:18. Atë Ditë do të fryhet në Sur dhe ju do të vini grupe-grupe.
78:19. Dyert e qiellit do të hapen
78:20. dhe malet do të shtyhen tutje e do të bëhen si mirazh.
78:21. Me të vërtetë, Xhehenemi do të bëhet pusi,
78:22. vendbanim i caktuar për keqbërësit,
78:23. që aty të mbeten përgjithmonë.
78:24. Aty nuk do të shijojnë as freski, as pije,
78:25. përpos ujit të valuar dhe qelbësirave,
78:26. si shpërblim përkatës (të veprave të tyre).
78:27. Në të vërtetë, ata as që e çonin nëpër mend se do të jepnin llogari
78:28. dhe shpalljet Tona i mohonin prerazi.
78:29. Por Ne çdo gjë e kemi shënuar në një libër.
78:30. Prandaj do t’u themi: “Shijojeni këtë! Ne nuk do t’ju shtojmë gjë tjetër përveçse dënim!”
78:31. Vërtet, për punëdrejtët është përgatitur e mira (Xheneti):
78:32. kopshte dhe vreshta,
78:33. vajza të reja, të së njëjtës moshë,
78:34. dhe kupa të plota.
78:35. Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra.
78:36. Kështu është shpërblimi nga Zoti yt - dhuratë sipas meritës
78:37. Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, i Gjithëmëshirshmi, të Cilit askush nuk do të mund t’i flasë (nga frika).
78:38. Në ditën, kur Shpirti (Xhebraili) dhe engjëjt do të jenë të rreshtuar, nuk do të flasë askush, përveç atij që do t’i japë lejë i Gjithëmëshirshmi e që do të thotë të vërtetën.
78:39. Ajo është Dita e Vërtetë, prandaj kush të dojë, le të kthehet te Zoti i vet (që në këtë jetë).
78:40. Me të vërtetë, Ne ju kemi paralajmëruar se është i afërt dënimi, Ditën, kur njeriu do të shohë se ç’kanë bërë duart e tij dhe, kur jobesimtari do të thotë: “Ah, sikur të isha pluhur!”