56-El-Wakia'h
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
56:1.	Kur të ndodhë Ngjarja (Kiameti),
56:2.	ardhjen e saj askush nuk do ta mohojë.
56:3.	Disa do t’i ulë e disa do t’i lartësojë.
56:4.	Kur Toka të dridhet fuqishëm,
56:5.	malet të thërrmohen copë-copë
56:6.	e të shndërrohen në pluhur të shpërndarë,
56:7.	ju, (o njerëz) do të ndaheni në tri grupe:
56:8.	njerëzit e së djathtës - sa të nderuar do të jenë fatlumët!
56:9.	njerëzit e së majtës - sa të poshtëruar do të jenë fatkeqët!
56:10.	dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet).
56:11.	Ata janë të afërtit (tek Allahu),
56:12.	në kopshtet e kënaqësisë.
56:13.	Shumica e tyre janë prej të lashtëve,
56:14.	ndërsa një pakicë prej brezave të mëvonshëm.
56:15.	Ata do të qëndrojnë në divane të stolisura me ar e gurë të çmuar,
56:16.	të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit.
56:17.	Do t’u sillen rreth (për shërbim) djelmosha përherë të rinj,
56:18.	me kupa, ibrikë dhe gota me pije të kulluar, që rrjedh
56:19.	e prej së cilës nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja,
56:20.	e me fruta të cilat do t’i zgjedhin vetë
56:21.	dhe mish shpendësh që ua ka ënda.
56:22.	Për ata ka edhe hyrie symëdha,
56:23.	të ngjashme me margaritarët e ruajtur,
56:24.	si shpërblim për atë që kanë punuar.
56:25.	Aty nuk do të dëgjojnë biseda të kota, as fjalë gjynahesh,
56:26.	por vetëm fjalët “Paqe, paqe”!
56:27.	E njerëzit e së djathtës – sa të nderuar që janë fatlumët!
56:28.	Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba
56:29.	dhe bananeve të mbushura me fruta,
56:30.	nën hije të gjera,
56:31.	pranë një uji rrjedhës,
56:32.	dhe mes frutave të llojllojshme,
56:33.	të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara;
56:34.	dhe në shtroje të ngritura (ku i presin hyrijet),
56:35.	të cilat Ne i kemi krijuar në një formë të veçantë (jo të lindura),
56:36.	dhe i kemi bërë ato virgjëresha,
56:37.	të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta,
56:38.	për njerëzit e së djathtës.
56:39.	Janë shumë nga të lashtët
56:40.	e shumë edhe nga të mëvonshmit.
56:41.	Po njerëzit e së majtës – sa të poshtëruar janë fatkeqët!
56:42.	Ata do të jenë në afshin përcëllues të zjarrit dhe ujit të valuar
56:43.	dhe nën hijen e një tymi të zi,
56:44.	e cila nuk do të jetë as e freskët e as e këndshme.
56:45.	Ata, para kësaj, jetonin në luks
56:46.	dhe në vazhdimësi bënin gjynahe të rënda,
56:47.	duke thënë: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi pluhur e eshtra, vërtet do të ringjallemi?!
56:48.	Vallë, edhe të parët tanë të lashtë?!”
56:49.	Thuaju (o Muhamed): “Me siguri, edhe të parët, edhe të mbramët,
56:50.	do të tubohen në një ditë të caktuar.
56:51.	Dhe atëherë ju, o jobesimtarë të humbur,
56:52.	me siguri që do të hani nga pema e zekumit,
56:53.	me të cilën do të mbushni barkun.
56:54.	Pastaj do të pini ujë të valuar,
56:55.	madje do të pini ashtu siç pi deveja e etshme”.
56:56.	Kështu do të jetë gostia e tyre në Ditën e Llogarisë!
56:57.	Ne ju krijuam – e pse nuk e pranoni të vërtetën?
56:58.	A e keni parë farën që e hidhni?
56:59.	A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?
56:60.	Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë
56:61.	që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë ashtu si nuk e dini (në Ditën e Ringjalljes).
56:62.	Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk mendoni?!
56:63.	A shihni atë që mbillni?
56:64.	Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne rritësit e saj?
56:65.	Nëse duam, Ne e lëmë fyçkë dhe ju do të çuditeni
56:66.	(e do të thoni): “Ne jemi të dëmtuar,
56:67.	madje jemi krejt të privuar (nga furnizmi)!”
56:68.	A e shihni ujin që pini?
56:69.	Vallë, ju e zbrisni atë prej reve apo Ne e zbresim?
56:70.	Nëse duam, Ne e bëjmë atë të njelmët, andaj përse nuk jeni mirënjohës?!
56:71.	A e shihni zjarrin që e ndizni?
56:72.	Vallë, ju i keni bërë drutë për të apo Ne i kemi bërë?!
56:73.	Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi nevojtarëve,
56:74.	prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!
56:75.	Betohem në çastin e perëndimit të yjeve,
56:76.	- e ky është betim i madh, veç sikur ta dinit 
56:77.	se ky është vërtet një Kuran i nderuar,
56:78.	në Librin e ruajtur.
56:79.	Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit,
56:80.	Ai është Shpallje prej Zotit të botëve.
56:81.	Vallë, një Fjalë të tillë ju e mohoni
56:82.	dhe e bëni detyrën tuaj (të përditshme) ta përgënjeshtroni?!
56:83.	Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë
56:84.	para syve tuaj,
56:85.	- ndërkohë që Ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk e vini re
56:86.	përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme),
56:87.	ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën!
56:88.	Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun),
56:89.	do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit.
56:90.	E, nëse është nga njerëzit e së djathtës,
56:91.	(ai do të përshëndetet) “Paqe për ty” nga njerëzit e së djathtës.
56:92.	Por, nëse (ai në agoni) është nga përgënjeshtruesit e humbur,
56:93.	ai do të gostitet me ujë të valuar
56:94.	dhe do të përcëllohet në Zjarrin e flakëruar (të Xhehenemit).
56:95.	Pa dyshim, kjo është e Vërteta e sigurt.
56:96.	Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!