79-En-Naziat
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
79:1. Për ata (engjëj) që marrin me forcë,
79:2. për ata që marrin butësisht,
79:3. për ata që notojnë në hapësirë,
79:4. për ata që nxitojnë,
79:5. dhe për ata që i rregullojnë punët!
79:6. Ditën kur do të dridhet gjithçka nga ushtima (që lajmëron Kiametin),
79:7. e cila do ta ndiqet nga një e dytë,
79:8. disa zemra do të jenë të mbushura me tmerr
79:9. e shikimet e tyre do të bien përdhe.
79:10. Ata thonë: “Vallë, vërtet do të rikthehemi në jetë?!
79:11. A thua, edhe kur të bëhemi eshtra të thërrmuara?!”
79:12. Dhe thonë: “Po qe kështu, atëherë ky kthim do të jetë humbje (për ne)!”
79:13. Por, ajo do të jetë veç një fryrje e vetme (e Surit)
79:14. dhe ata përnjëherësh do të brofin (të ringjallur).
79:15. A e ke dëgjuar (o Muhamed) historinë e Musait?
79:16. Zoti i tij e thirri në luginën e shenjtë të Tuvas dhe i tha:
79:17. “Shko te Faraoni, se ai, me të vërtetë, ka kaluar çdo kufi;
79:18. dhe thuaji: “A do ta pastrosh veten,
79:19. dhe të të udhëzoj te Zoti yt, që t’i frikësohesh?”
79:20. Musai ia tregoi mrekullinë më të madhe,
79:21. por ai (Faraoni) e mohoi dhe e kundërshtoi.
79:22. Pastaj i ktheu shpinën, duke u përpjekur (kundër së vërtetës)
79:23. dhe tuboi njerëzit e u deklaroi:
79:24. “Unë jam zoti juaj më i lartë!”
79:25. Prandaj Allahu e goditi atë me dënim në jetën tjetër dhe në këtë jetë.
79:26. Kjo është këshillë për ata që i frikësohen Allahut.
79:27. Cili është më i vështirë: krijimi i juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi,
79:28. ia ngriti lart kupën dhe e përsosi.
79:29. Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme.
79:30. Pastaj e shtriu rrafsh Tokën,
79:31. dhe, nga ajo nxori ujërat dhe bëri kullotat,
79:32. kurse malet i bëri të patundshme,
79:33. që t’i gëzoni ju dhe bagëtitë tuaja.
79:34. Kur të arrijë gjëma më e madhe,
79:35. atë Ditë njeriu do të kujtojë gjithçka që ka bërë
79:36. dhe Zjarri flakërues do t’i tregohet çdokujt që sheh.
79:37. Atëherë, ai që ka shkelur gjithçka
79:38. dhe ka parapëlqyer jetën e kësaj bote,
79:39. sigurisht që do të ketë për strehë Xhehenemin.
79:40. Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat,
79:41. pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.
79:42. Të pyesin ty për Orën (e Kiametit) se kur do të ndodhë.
79:43. Çfarë rëndësie ka për ty që ta përmendësh atë?
79:44. Tek Zoti yt është fundi i (dijenisë rreth) saj.
79:45. Ti je vetëm paralajmërues i atyre që i frikësohen asaj.
79:46. Ditën kur do ta shohin atë, (njerëzve) do t’u duket se kanë qëndruar (në Tokë) veç një mbrëmje apo një mëngjes.