37-Es-Saffat
Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
37:1. Betohem në ata (engjëj) që janë të radhitur37:2. dhe në ata që pengojnë (të keqen)
37:3. dhe në ata që e lexojnë Kuranin,
37:4. se, në të vërtetë, Zoti juaj është Një,
37:5. Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çfarë gjendet mes tyre dhe Zot i lindjeve (të diellit)!
37:6. Ne e kemi stolisur qiellin e kësaj bote me shkëlqimin e yjeve,
37:7. mbrojtje nga djajtë kryeneçë.
37:8. (Kështu që) ata nuk e përgjojnë dot Grupin më të Lartë (engjëjt lart në qiej) dhe qëllohen (me meteorë) nga të gjitha anët.
37:9. Pastaj, ashtu të përzënë do të kenë vuajtje të përhershme (në jetën tjetër).
37:10. (Djajtë nuk përgjojnë dot), veç atij që grabit diçka e që e ndjek një yll verbues.
37:11. Pyeti (o Muhamed) ata (mekas mosbesimtarë): A është më i vështirë krijimi i tyre apo i të gjitha gjërave të tjera që i kemi krijuar? Ata i kemi krijuar nga balta ngjitëse.
37:12. Ti çuditesh (pse ata s’të besojnë), ndërsa ata të përqeshin (pse çuditesh)
37:13. e, kur u drejtohen këshilla, ata nuk ua vënë veshin.
37:14. Kur shohin një mrekulli, ata e nxisin njëri-tjetrin për t’u tallur
37:15. dhe thonë: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse një magji e kulluar!”
37:16. (Ata thonë): “Vallë, kur të vdesim dhe të bëhemi eshtra e pluhur, a thua njëmend do të ringjallemi?
37:17. Edhe paraardhësit tanë të lashtë?”
37:18. Thuaju: “Po dhe do të jeni të poshtëruar!”
37:19. Ai (zëri i bririt të ringjalljes) do të jetë një zë i vetëm dhe të gjithë (mohuesit e ringjallur) do të shohin (se ç’do të bëhet me ta)
37:20. dhe do të thonë: “Mjerë për ne, kjo është Dita e Gjykimit!”
37:21. Po, kjo është Dita e Gjykimit, të cilën ju e keni përgënjeshtruar!
37:22. (Engjëjve do t’u thuhet): “Mblidhini njerëzit e këqij, shokët e tyre (djaj) dhe idhujt që i kanë adhuruar
37:23. krahas Allahut e tregojuni atyre rrugën e Zjarrit flakërues!
37:24. Ndalini ata, se do të pyeten:
37:25. “Ç’keni që nuk e ndihmoni njëri-tjetrin?”
37:26. Por, atë Ditë ata do të jenë plotësisht të dorëzuar,
37:27. e do t’i afrohen njëri-tjetrit, duke u grindur.
37:28. (Pasuesit) do t’u thonë (prijësve): “Ju na vinit nga ana e djathtë”.
37:29. Ata do të përgjigjen: “Jo, ju vetë nuk ishit besimtarë!
37:30. Ne nuk kishim kurrfarë pushteti mbi ju, por ju ishit popull i pabindur.
37:31. E kështu u përmbush fjala e Zotit kundër nesh; ne të gjithë do ta shijojmë me siguri dënimin.
37:32. Ne ju mashtruam juve, por edhe vetë ishim të mashtruar.”
37:33. Atë Ditë, të gjithë ata do të jenë së bashku në dënim.
37:34. Ne kështu veprojmë me keqbërësit,
37:35. sepse, kur u thuhej atyre: “Nuk ka zot tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” - ata tregoheshin mendjemëdhenj
37:36. dhe thoshin: “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?”
37:37. Nuk është ashtu (siç thonë ata), por ai (Muhamedi a.s.) ka sjellë të vërtetën dhe ka pohuar atë që thonin të dërguarit e mëparshëm.
37:38. Sigurisht, ju do ta provoni dënimin e dhembshëm
37:39. dhe do të shpërbleheni vetëm sipas asaj që keni bërë!
37:40. Kurse robërit e sinqertë të Allahut,
37:41. do të kenë mirësi të caktuara dhe
37:42. fruta të ndryshme e do të jenë të respektuar,
37:43. në kopshtet e lumturisë,
37:44. në kolltuqe, përballë njëri-tjetrit.
37:45. Aty do t’u shërbehet një gotë e mbushur nga një burimi i rrjedhshëm,
37:46. (me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pinë.
37:47. Prej saj as nuk do të trullosen dhe as nuk do të dehen.
37:48. Pranë tyre do të jenë gra me shikim të ulur e sy të bukur
37:49. sikur të ishin vezë të ruajtura mirë.
37:50. Ata do t’i qasen njëri-tjetrit e do të bisedojnë.
37:51. Dhe njëri prej tyre do të thotë: “Unë kam pasur një shok,
37:52. i cili më thoshte: “Vallë, edhe ti je nga ata që besojnë
37:53. se, kur të vdesim e të bëhemi eshtra e pluhur, do të japim llogari vërtet?!”
37:54. - A doni ta shikoni (atë që më qortonte për shkak të besimit tim)?”
37:55. Dhe ai do të shikojë poshtë dhe do ta shohë atë në mes të Zjarrit flakërues
37:56. e do t’i thotë: “Për Allahun! Për pak më shkatërrove edhe mua.
37:57. Po të mos ishte dhuntia e Zotit tim, edhe unë do të isha në zjarr (bashkë me ty)”.
37:58. (Banorët e Xhenetit do të thonë:) “A nuk do të vdesim më,
37:59. përveç vdekjes së parë? Dhe as nuk do të dënohemi?”
37:60. Vërtet, kjo është fitorja më e madhe!
37:61. Për diçka të tillë, le të përpiqen punëtorët!
37:62. A është më e mirë kjo gjendje apo pema e zekumit?
37:63. Ne e kemi bërë atë si mundim për keqbërësit.
37:64. Njëmend, kjo pemë del nga fundi i Zjarrit flakërues
37:65. dhe frutet e saj janë si kokat e djajve.
37:66. Me të vërtetë, ata do ta hanë këtë frut dhe me të do ta mbushin barkun.
37:67. Pastaj, ata do të kenë një përzierje me ujë të nxehtë (për të pirë)
37:68. e pas kësaj, me siguri, kthimi i tyre do të jetë në Zjarrin flakërues.
37:69. Ata i gjetën etërit e tyre në humbje,
37:70. dhe kështu vazhduan pas gjurmëve të tyre.
37:71. Por, edhe para tyre humbën (rrugën) shumica e popujve të lashtë.
37:72. Në të vërtetë, Ne u dërguam atyre paralajmërues.
37:73. E tani shiko se cili qe fundi i atyre që u paralajmëruan,
37:74. përveç robërve të sinqertë të Allahut.
37:75. Kur Nuhu Na thirri (në ndihmë), Ne iu përgjigjëm bukur:
37:76. e shpëtuam atë dhe familjen e tij prej katastrofës së madhe,
37:77. i lamë në jetë vetëm pasardhësit e tij
37:78. dhe e lamë atë kujtim te brezat e tjerë.
37:79. “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!”
37:80. Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët.
37:81. Ai është vërtet nga robërit Tanë besimtarë.
37:82. Pastaj i fundosëm të tjerët.
37:83. Pa dyshim që një nga ithtarët e (besimit të) tij (Nuhut) ishte Ibrahimi.
37:84. Ai i erdhi Zotit të vet me zemër të pastër,
37:85. kur i tha babait dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju?
37:86. Vallë, a dëshironi hyjni të rreme në vend të Allahut?
37:87. Çfarë mendoni ju për Zotin e gjithësisë?”
37:88. Pastaj u hodhi një shikim yjeve
37:89. e tha: “Unë jam i sëmurë”.
37:90. Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas.
37:91. Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani?
37:92. Ç’keni, përse nuk flisni?”
37:93. Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë.
37:94. (Mbasi u kthyen dhe panë idhujt e thyer) njerëzit nxituan nga ai.
37:95. Ai u tha: “Vallë, ju adhuroni ato që i keni gdhendur vetë,
37:96. ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!”
37:97. Ata thanë: “Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!”
37:98. Dhe deshën t’i ngrinin një kurth, por Ne i bëmë ata më të poshtëruarit.
37:99. Ai tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.”
37:100. “O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!”
37:101. Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!
37:102. Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” – I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”
37:103. Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri (Ismailin) me ballë përtokë.
37:104. Ne e thirrëm: “O Ibrahim,
37:105. ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët!
37:106. Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!
37:107. Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh,
37:108. dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm.
37:109. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!”
37:110. Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët.
37:111. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.
37:112. Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.
37:113. Dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por midis pasardhësve të tyre, përveç punëmirëve, ka edhe të atillë që e kanë ngarkuar dukshëm veten me gjynahe.
37:114. Ne i dhamë dhuntinë Tonë Musait dhe Harunit
37:115. dhe i shpëtuam ata të dy dhe popullin e tyre nga mjerimi i madh.
37:116. Ne i ndihmuam dhe ata ngadhënjyen.
37:117. Ne u dhamë atyre Librin e qartë,
37:118. i udhëzuam në rrugën e drejtë
37:119. dhe u lamë kujtim të mirë për ta brezave të mëvonshëm.
37:120. “Paqja qoftë mbi Musain dhe Harunin!”
37:121. Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët!
37:122. E pa dyshim, ata të dy janë nga robërit Tanë besimtarë.
37:123. Edhe Iljasi ka qenë vërtet një prej të dërguarve.
37:124. Ai i tha popullit të vet: “A nuk po i frikësoheni Allahut?!”
37:125. Vallë, a i luteni ju Ba‘lit, ndërsa braktisni Krijuesin më të mirë,
37:126. Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë?!”
37:127. Ata e quajtën atë gënjeshtar dhe, për këtë shkak, do të çohen (në dënimin e Zjarrit),
37:128. përveç robërve të sinqertë të Allahut.
37:129. Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë te brezat e mëvonshëm:
37:130. “Paqja qoftë mbi Iljasin!”
37:131. Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët!
37:132. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë.
37:133. Sigurisht, edhe Luti ka qenë njëri prej të dërguarve.
37:134. Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij,
37:135. përveç plakës që mbeti prapa me të dënuarit,
37:136. pastaj i zhdukëm të tjerët.
37:137. Ju që kaloni pranë rrënojave të tyre në mëngjes
37:138. dhe natën, a nuk po e mblidhni mendjen?
37:139. Junusi ka qenë gjithashtu njëri nga të dërguarit.
37:140. Ai nxitoi drejt një anijeje të mbushur plot e përplot
37:141. dhe hodhi short (me detarët se kush duhej të hidhej) dhe humbi.
37:142. Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar,
37:143. dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut,
37:144. me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.
37:145. Por Ne e hodhëm atë në një breg të shkretë, duke qenë i sëmurë.
37:146. Dhe bëmë që sipër tij të mbinte një bimë kungulli (për t’i bërë hije).
37:147. Pastaj e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz,
37:148. dhe ata i besuan, prandaj u dhamë jetë të këndshme për një kohë.
37:149. Pyeti ata (o Muhamed): “Vallë, për Zotin tënd janë vajzat, ndërsa për vete kanë djemtë?!
37:150. Apo Ne i krijuam engjëjt si femra e ata ishin dëshmitarë?!”
37:151. Sigurisht që ata shpifin kur thonë:
37:152. “Allahu ka lindur fëmijë”! - Ata, në të vërtetë, janë gënjeshtarë.
37:153. Vallë, Ai ka parapëlqyer vajzat ndaj djemve?!
37:154. Çfarë keni që gjykoni kështu?!
37:155. A nuk po mendoni?!
37:156. Apo keni ndonjë provë të qartë për atë që thoni?!
37:157. Sillni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën!
37:158. Idhujtarët kanë trilluar farefisni ndërmjet Zotit dhe xhindeve, kurse xhindet e dinë se ata do të sillen të gjithë para Tij.
37:159. Lavdi Allahut, qoftë i pastër nga ajo që ata ia veshin Atij!
37:160. Por robërit e sinqertë të Allahut nuk adhurojnë askënd tjetër përveç Tij.
37:161. “Me të vërtetë, as ju, as idhujt tuaj,
37:162. nuk mund të mashtroni askënd kundër (Atij),
37:163. përveç atyre, që do të digjen në Zjarrin flakërues.
37:164. Çdonjëri prej nesh e ka vendin e caktuar (në qiell, ku adhuron Allahun).
37:165. Ne jemi ata që qëndrojmë në radhë,
37:166. dhe ne jemi ata që e lavdërojmë Atë!”
37:167. Edhe pse ata (idhujtarët mekas) thoshin:
37:168. “Sikur të kishim një Libër nga popujt e mëparshëm,
37:169. ne, me siguri, do të ishim robër të sinqertë të Allahut”,
37:170. ata e mohuan Kuranin, por së shpejti do ta marrin vesh!
37:171. Shumë kohë më parë Ne u premtuam robërve Tanë të dërguar
37:172. se ata do të ndihmohen (prej Nesh)
37:173. dhe se ushtritë tona do të jenë me siguri fitimtare!
37:174. Andaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe!
37:175. Vështroji ata (kur t’u zbresë dënimi), se edhe ata do ta shohin (si janë pasojat e mosbesimit të tyre)!
37:176. Vallë, a mos po kërkojnë ata shpejtimin e dënimit Tonë!
37:177. Kur t’u bjerë në mesin e tyre, mëngjesi i atyre që janë paralajmëruar do të jetë shumë i shëmtuar.
37:178. Andaj, largohu prej tyre për njëfarë kohe!
37:179. Vështroji ata, se edhe ata do ta shohin!
37:180. I lartësuar qoftë Zoti yt, Zoti i Madhështisë e i Lavdisë, mbi çfarë i veshin ata!
37:181. Paqja qoftë mbi të dërguarit,
37:182. dhe të gjitha lavdet e falënderimet qofshin për Allahun, Zotin e botëve!